Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti po raporton në seancën e Kuvendit për 100 ditëshin e Qeverisjes së tij.
Kryeministri Hoti para deputetëve foli edhe për menaxhimin e situatës me pandeminë, teksa theksoi se kanë arritur ta mbajnë të mobilizuar sistemin shëndetësor, si dhe kanë ngritur kapacitetet shëndetësore.
“Sa i përket pandemisë, besoj se kemi arritur ta mbajmë të mobilizuar sistemin shëndetësor dhe krejt infrastrukturën mbështetëse për të parandaluar përhapjen e pandemisë dhe trajtimin e personave të prekur. Në fillim të mandatit është themeluar bordi këshilldhënës për Covid-19 që ka hartuar manualin për mbrojtje ndaj COVID-19 në bazë të së cilit janë marrë masa të ndryshme, është riorganizuar tërësisht sistemi shëndetësor për të krijuar kapacitete shtesë. MSH-ja ka shpenzuar më shumë se 5 milionë euro për programin farmaceutik. Eshtë punuar në ngritjen e kapaciteteve për të parandaluar pandeminë, duke punësuar 200 specialistë shëndetësorë, prej të cilëve 100 mjekë, 62 infermierë, 20 insepktorë sanitarë, katër mikrobiologë, tetë laborantë dhe gjashtë anëtarë të tjerë të stafit shëndetësor”, deklaroi Hoti, duke permendur edhe licencimin e laboratoreve.
Hoti u shpreh se për këtë pandemi janë sharë në Kuvendin e Kosovës, por sot janë shembull për menaxhimin e saj.
“Për këtë pandemi jemi sharë shumë edhe në këtë Kuvend, por sot jemi bërë shembull edhe në rajon se si menaxhohet kjo pandemi. Kosova është hequr nga lista e shteteve me rrezikshmëri të lartë. Ata persona që kanë shtrembëruar të dhënat e numrit të infektuarve për ta njerrë vendin e tyre keq, sot duhet të turpërohen”, ka thënë Hoti para deputeteve./UBTNews