Pas njoftimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për kandidatët që nuk mund të garojnë për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit edhe LDK-ja del të ketë një kandidat që ka problem me ligjin.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka deklaruar të mërkurën se do të bëjnë zëvendësimin e kandidatit për deputet nga radhët e LDK-së, teksa ka thënë se të gjithë duhet të respektojnë vendimet e organeve të drejtësisë.
Këto komente Hoti i bëri pas homazheve tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, ku theksoi se të gjithë duhet të trajtohen njësoj, pavarësisht pozitës.
“Ne u nënshtrohemi të gjitha vendimeve të organeve të drejtësisë. Besoj se të gjithë duhet të trajtohen njësoj, pavarësisht pozitës që kanë, pavarësisht statusit që kanë. E kemi pasur një kandidat dhe do të bëjmë zëvendësimin sot”, ka thënë ai.
Ai bëri të ditur se me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmanin, janë në proces të konsultimeve për emrin e drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
“Është proces i konsultimeve të brendshme me ushtruesen e detyrës derisa të arrijmë dakordim për emrin e drejtorit të AKI-së. Kaq mund të ju them për këtë”, tha ai.