Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka vlerësuar se vazhdimi i dialogut është në të mirë të Kosovës. Sipas tij, në këtë proces nuk shkojnë për interesa të askujt, por për interesa shtetërore.
“Vazhdimi i procesit të dialogut është në interesin më të mirë të shtetit të Kosovës. Ne në këtë proces nuk shkojmë për interesa të askujt, por shkojmë për të mbrojtur interesin e shtetit të Kosovës në bazë të një dakordimi që kemi me partnerët në BE, që të punohet në draftimin e marrëveshjes finale për njohjen reciproke”, u shpreh Hoti.
Kurse sa i përket raportit me AAK-në, Hoti theksoi se nuk beson që dialogu do të bëhet ‘mollë sherri’ me AAK-në.
“Nuk besoj që duhet të jetë problematike çështja sepse po zhvillohet në parime të qarta, nuk do të bëhet mollë sherri sepse ne po punojmë në bazë të programit qeverisës”, deklaroi shefi i Qeverisë.
Ndërkaq për çështjen e presidentit, Hoti tha se ditët e ardhshme do të koordinohen i gjithë spektri politik për të gjetur një zgjidhje më të mirë për vendin./UBTNews