Ish-kryeministri Avdullah Hoti, i ka reaguar të premten ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, për të cilin thekson se pas thirrjes për rritje të subvencioneve në bujqësi, i njëjti “kishte shkruar një pamflet me plot tallje e cinizëm”.
Deputeti i LDK-së, Hoti thotë se faktet tregojnë se efektet e punës së ministrit të Bujqësisë, Peci janë zero, teksa shton se sipas të dhënave të Doganës së Kosovës gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2022, ka pasur rritje të importit të grurit, mishit, e qumështit.
“Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, gjatë vitit 2022 krahasuar me vitin 2021: Importi i llojeve të ndryshme të grurit është rritur me 63% (2021 – 22.7 mil euro, 2022 – 36.9 mil euro).Importi i llojeve të ndryshme të mishit është rritur me 51% (2021 – 82.5 mil euro, 2022 – 124.5 mil euro).Importi i gjedheve për therje është rritur me 42% (2021 – 45.2 mil euro, 2022 – 64.2 mil euro).Importi i qumështit dhe produkteve të qumështit është rritur me 32% (2021 – 56.8 mil euro, 2022 – 75.2 mil euro)”, shkruan Hoti.
Deputeti Hoti më tej ka shkruar se është e pamundur që në Kosovë gjatë vitit 2022 të jetë rritur kaq shumë konsumi i qumështit, grurit apo mishit, por sipas tij, shifrat tregojnë se ka rënë prodhimi vendor.
“Le t’ia sqaroj dikush Ministrit të nderuar këto të dhëna. Në ditët e ardhshme do të publikohen edhe të dhëna të tjera për të demaskuar mashtrimin dhe dështimin e kësaj qeverisje”, shkruan ai.