Një ditë pas zhvillimeve të fundit nga Gjykata Speciale, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar të ruhet stabiliteti i institucioneve.
Hoti në mbledhjen urgjente të Qeverisë theksoi se beson që mbarimi i këtij procesi do të ridëshmojë se lufta për liri dhe pavarësi ka qenë e pastër.
“Kosova i beson drejtësisë dhe bashkëpunon me drejtësinë pa asnjë hezitim. Duke uruar që puna e institucioneve të drejtësisë të udhëhiqet vetëm nga profesionalizmi, ne besojmë se mbarimi i këtij procesi do të ridëshmojë se lufta për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e pastër”, deklaroi ai.
Shefi i Qeverisë theksoi se pret nga të gjitha akterët politikë të dëshmojnë kulturë të lartë politike.
“Duhet të tregojmë urtësi e vizion për ta përballuar edhe këtë sprovë. Jam i bindur që do të dalim faqebardhë para botës, ashtu sikurse kemi dalë shumë herë deri sot. Qeveria e Kosovës vlerëson që në situatën e krijuar, me dorëheqjen e Presidentit, duhet të ruhet stabiliteti i institucioneve. Qeveria do të bashkëpunojë me të gjithë bartësit e institucioneve dhe faktorin ndërkombëtar. Ne do të bashkëpunojmë me Kuvendin e Kosovës, dhe partitë përfaqësuese në Kuvend. Qeveria pret nga të gjithë të vazhdojnë të dëshmojnë kulturë të lartë politike”, tha Hoti./UBTNews