Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se zhvillimet në RTK, duke aluduar për shkrimin që publikoi ky medium nga “Slobdna Bosna” ku atakoheshin dy mediume në vend dhe mos ndëshkimin e përgjegjësve ende, janë tepër shqetësuese.
Hoti ka thënë se Komisionet përkatëse Parlamentare janë vonuar që të ftojnë për raportim Bordin bashkë me menaxhmentin e RTK-së dhe Drejtorin e AKI-së.
Sipas tij, Bordi dhe menaxhmenti i RTK’së nuk kanë as fuqi dhe as vullnet për t’u marrë me situatën e krijuar, derisa tha se është obligim i opozitës për ta ndërprerë udhëheqjen e këtij mediumi nga “komisarët politik të Kurtit”.
“Është obligim shtetëror i Kuvendit të Kosovës të ndërpresë degradimin e mediumit publik. Është obligim shtetëror i opozitës në veçanti të ndërmarrë veprimet kushtetuese e ligjore, në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, për të ndërprerë udhëheqjen e mediumit publik nga ‘komisarët politik të Kurtit’ përmes kukullave të tyre të vendosura në Bordin dhe menaxhmentin e RTK-së”, ka shkruar Hoti.