UBT News

Hoti nënshkroi deklaratën kundër ngacmimit seksual në administratën publike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka nënshkruar deklaratën kundër ngacmimit seksual në administratën publike të Kosovës.

Zyra e kryeministrit ka theksuar se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për zbatimin e politikave aktive në fushën e të drejtave të njeriut, mbrojtjen nga diskriminimi dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët në Republikën e Kosovës.

“Bazuar në parimin e mbrojtjes nga diskriminimi dhe me qëllim të zhvillimit të një ambienti të punës të sigurt, të paanshëm, profesional dhe të përgjegjshëm në institucionet e Republikës së Kosovës, sot miratojmë Politikën kundër ngacmimit seksual në organet e administratës publike të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoti.

Shefi i Qeverisë ka nënvizuar se me këtë deklaratë mbrohet barazia në mes të gjinive si vlerë themelore e zhvillimit demokratik të shoqërisë së Kosovës, përmes ndalimit të çdo veprimi apo sjelljeje që çojnë në cenim të dinjitetit personal të secilit të punësuar në organet e administratës publike.

Hoti ka kërkuar nga organet e administratës publike në Republikën e Kosovës që të promovojnë dhe shpërndajnë këtë politikë si dhe të ndërmarrin hapa konkretë për zbatimin e saj./UBTNews

Exit mobile version