Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se lufta e Qeverisë në tri vitet e fundit ndaj mediave, sindikatave, bizneseve dhe ndaj çdokujt që ka qenë kritik ka degraduar demokracinë në vend, zhvillimin ekonomik dhe për barazinë sociale.
Reagimi i ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti vjen pasi Organizata “Reporterët Pa Kufij” ka publikuar Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit me ç’rast Kosova ka zënë vendin e 75 për dallim nga viti i kaluar që ishte në të 56-të, duke shënuar kështu rënie për 19 vende.
“E kemi ngritur këtë shqetësim në vazhdimësi. Tani po dëshmohet nga tri raporte ndërkombëtare, të cilat i pranuam këto ditë: nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nga Freedom House dhe së fundmi nga “Reporterët pa Kufij”. Secili raport më negativ se tjetri. Ky i fundit, që merret me lirinë e mediave, na rendit për 19 pozita më poshtë. E vërteta është se që nga shpallja e pavarësisë, Kosova është ballafaquar me sfida në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, në luftimin e korrupsionit, në fuqizimin e mediave dhe shoqërisë civile dhe në avancimin e dialogut social”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij nga viti në vit është shënuar progres dhe Kosova ka qenë e renditur ndër vendet me demokracinë më funksionale në rajon. Derisa sipas Hotit në tri vitet e fundit, është shënuar regres në çdo dimension të zhvillimit ekonomik e social.