UBT News

Hoti: Në tendencën për të vendosur kontroll, qeveria ka paralizuar disa institucione

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë dhe Zyrën e Presidencës për mos emërimin e guvernatorit të ri të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe mos dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në seancën sotme parlamentare, Hoti theksoi se institucionet e ekonomisë dhe drejtësisë ka kohë të gjatë që kanë mbetur pa drejtues dhe sipas tij pasojat janë të mëdha për bizneset dhe qytetarët.

Ish-kryeministri theksoi se ka tendencë nga pushteti për të vendosur kontroll mbi institucionet e pavarura.

“Me tendencën për të vendosur kontroll mbi institucionet që sipas Kushtetutës janë të pavarura, ato institucione janë paralizuar dhe sot pasojat jemi duke i vuajtur të gjithë. Po i përmend listën e këtyre institucioneve që janë paralizua sot dhe funksionojnë me ushtrues detyre. BQK sot është pa guvernator, procesi i zgjedhjes së zëvendës guvernatorëve, të cilët do të kishin ushtruar detyrën e guvernatorit është bojkotuar nga anëtarët e Bordit gjatë vitit 2022. Procesi I zgjedhjes së guvernatorit është komprometuar. Çfarë ndodhi një ditë para se me kaluar mandatin edhe një ushtruese e zv/guvernatorit u shkarkua për t’i hap rrugë që detyrën e guvernatorit ta ushtroi kryetari i Bordit të BQK-së. Ky marifet nuk është parë që nga pas lufta. E dyta, Trusti Pensional është pa Bord nga dhjetori i vitit të kaluar. Për këtë ministri i Financave dhe Auditorja e përgjithshme e kanë bojkotuar përzgjedhjen e anëtarëve të bordit. Dhe nuk ka përgjigje pse është bojkotuar ky proces, dhe çka po ndodhë tash, qindra miliona euro investime të Trustit që janë në rënia nuk ka kush të merret me to”, theksoi Hoti.

Deputeti Hoti tha se ka një vit që nuk dekretohet Kryeprokurori i Shtetit me tendencë që të zgjidhet dikush tjetër. Ai përmendi po ashtu edhe ATK-në që ka mbetur që një kohë të gjatë pa drejtor.

Exit mobile version