UBT News

Hoti: Në Bruksel do të bisedohet për njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se gjatë takimit të së hënës në Bruksel, pritet të dialogohet për marrëveshjen përfundimtare, njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve.

Hoti ndër tjera në postimin e tij në Facebook, ka theksuar se marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke.

“Bazuar në zotimet që i kemi dhënë në Samitin e Parisit më 10 korrik 2020, si dhe mbështetjen që kemi marrë nga Presidenti Makron dhe Kancelarja Merkel, të hënën në Bruksel e takojmë palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Hoti, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar të premten marrëveshjen historike në Washington.

Marrëveshja u arrit pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë marrëveshje thuhet se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për normalizimin ekonomik.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit amerikan Donlad Trump.

Më poshtë lexoni postimin e plotë të Avdullah Hotit:

Bazuar në zotimet që i kemi dhënë në Samitin e Parisit më 10 korrik 2020, si dhe mbështetjen që kemi marrë nga Presidenti Makron dhe Kancelarja Merkel, të hënën në Bruksel e takojmë palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë. Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura.

Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, stabilitet, zhvillim dhe integrim euro-atlantik të të gjithë regjionit. /Telegrafi/

Exit mobile version