Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se Kosova është vendi i parë që nga viti 1999 ndaj të cilit Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione. Si pasojë e këtij vendimi, ai u shpreh se janë 500 milionë euro të cilat janë bllokuar. Më tej, Hoti theksoi se kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, po vazhdon të paguhet, ani pse është në paraburgim.
Në deklarimet jashtë rendit të ditës, deputeti i LDK-së teksa ka kritikuar qeverisjen aktuale, ka përmendur sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian.
“Jemi vendi i parë nga viti 1999 e këtej që Bashkimi Evropian vendos sanksione. Janë 500 milionë euro projekte të ndryshme në energjetikë, në drejtësi, në komuna, në ujësjellës, në ngrohtoren në qytet të Prishtinës që janë bllokuar, janë suspenduar dhe mbesin të bllokuara për shkak të këtij vendimi”, tha ai.
Në mesin e kritikave, Hoti përmendi edhe kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, për të cilin tha se po vazhdon të paguhet nga shteti.
“Kryeshefi i KEK-ut, është në paraburgim njeriu, por ai vazhdon të mos shkarkohet dhe të merr 50 për qind të rrogës. 1700-1800 euro merr rrogë ai në burg është, në paraburgim. I pafajshëm derisa nuk ka vendim të gjykatës, por ai vazhdon të paguhet nga buxheti i shtetit të Kosovës”, deklaroi ai.
Më tej, Hoti tha se në historinë e shtetit të Kosovës, nuk ka pasur më shumë ligje antikushtetuese.
“Asnjëherë në historinë e shkurtër të Kosovës si shtet i pavarur, nuk ka pasur kaq shumë ligje antikushtetuese të miratuara në Kuvendin e Kosovës. Duket sikur një tendencë për të ndërruar rendin kushtetues, dhe a e dini pse? Tash unë e kuptoj këtë tendencë për ligje antikushtetuese, para tri ditëve keni pasur një postim në një nga rrjetet sociale nga ana e kryeministrit duke e përkujtuar një ish-president të Amerikës Latine, i cili është vrarë në një grushtet”, u shpreh ai.