Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar të martën lidhur me rënien e investimeve kapitale në Kosovë.
“Mjerë për atë ekonomi ku rriten subvencionet e zvogëlohen investimet. Në vitin 2022, krahasuar me vitin 2019: subvencionet dhe transferet janë rritur për +70%, investimet kapitale janë zvogëluar për -21%. Prandaj, nuk ka zhvillim ekonomik me subvencione e transfere. Rritja e subvencioneve dhe transfereve është shenjë varfërie”, ka shkruar ai.
Postimi i deputetit Hoti:
Ja çfarë kanë bërë qeveritarët majtistë në vitin 2022:
– 41% të buxhetit e kanë shpenzuar në subvencione dhe transfere (më 2019 ka qenë 30%)
– 16% të buxhet e kanë shpenzuar për investime kapitale (më 2019 ka qenë 25%).
Ky raport do të duhej të ishte i kundërt. Kështu nuk zhvillohet ekonomia, por rritet varësia e qytetarëve nga skemat sociale. Asnjë ekonomi nuk është zhvilluar duke e shpenzuar 42% të buxhetit në subvencione, por duke shpenzuar më shumë në investime kapitale publike edhe private. Vetëm investimet e zhvillojnë ekonominë, pasi ato e rrisin kapacitetin prodhues.