Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka mirëpritur propozimin e Richard Grenellit që Ujmani të quhet Liqeni Trump. Me një shkrim në Facebook, Hoti u shpreh se e mirëpret këtë propozim në shenjë nderimi për rolin e tij të jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si hap i madh drejt marrëveshjes përfundimtare politike, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke.
Hoti thekson se Kosova dhe qytetarët e saj do të jenë përjetësisht mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kosova dhe qytetarët e saj do t’u jenë përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat, siç thoshte Presidenti Rugova, ne kemi miqësi speciale dhe të përhershme.Është traditë dhe kulturë jona për ta nderuar Mikun! Këtë traditë fisnike të të parëve tanë, ne do ta ruajmë dhe do ta kultivojmë gjithnjë!”, shkroi ai në Facebook./UBTNews