UBT News

Hoti: Me LDK-në do të hiqen vizat dhe do të integrohet vendi në BE

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka mbajtur tubim elektoral në Rahovec ku ka kërkuar votën e qytetarëve të kësaj komune në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Nga aty Hoti kërkoi nga qytetarët që mos t’i besojnë dogmat për ndryshim pasi siç tha ai si LDK ofrojnë një qeverisje me integritet, duke respektuar ligjin dhe Kushtetutën.

Para bashkëvendësve Hoti shpalosi planin për bujqësi, infrastrukturë e kulturë, duke iu premtuar shpejt edhe sistemin e ujitjes në këto anë.

“Kërkoj mbështetjen tuaj të plotë të qytetarëve të Rahovecit për të dërguar përpara procesin e shtetndërtimit. Kërkoj nga ju që mos të mashtroheni me këto dogmat e ndryshimeve. Merreni shembull e keni një komunë afër këtu në Prizren që qeveriset prej atyre që i kanë mbushur sheshet me shirita të kuq si shenjë të sistemeve komuniste. Gjysma e drejtorëve janë me aktakuza në Prizren, merrni shembull nga komuna e Podujevës që deshën me e bë gjoja një ndryshim edhe sot kryetari i komunës e rrah një qytetar është denoncuar në Polici për sulm fizik. Ky nuk është ndryshimi atë që ofrojmë ne kudo që kemi qeverisur qeverisje me integritet, me ligj, me Kushtetutë në shërbim të qytetarëve i kemi pasur gjashtë muaj dhe kemi dhënë shembullin më të mirë se si qeveriset me ligj, me Kushtetutë në shërbim të qytetarëve pa bërë asnjë dallim. Edhe duke e gjetur vendin në situatën më të vështirë të mundshme që kemi pasur ndonjë herë. E kemi hapur Kosovën edhe sikur i dërgon Zoti të mirat një nga një vijnë, të vijnë besimet një nga një. Vjen mbështetja prej miqve amerikanë edhe për ushtrinë edhe për projekte të mëdha që kanë me ndërruar komplet gjendjen ekonomike në Kosovë“, theksoi Hoti.

Kryeministri në detyrë, i cili është në garë për shef të ekzekutivit premtoi liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Brenda 4 viteve kemi me e kthyer siç ka qenë më herët që qytetarët tanë në Krushë të Vogël kur është ndalur treni në Xërxe e Ratkoc e kanë përfunduar në Fushë-Kosovë dhe kanë përfunduar në Mynhen sepse ne kemi me integruar Kosovën në Bashkimin Evropian, ne kemi me i heq vizat me mënyrën se si po qeverisim kemi me i heq vizat, neve na besojnë për këto procese. Kërkojmë besimin tuaj që t’i dërgojmë përpara këto procese që sapo i kemi nisur edhe jemi në rrugë të mbarë besoni që jemi në rrugë të mbarë. E këta që shesin parulla me megafona rrugëve e me militantët e tyre të rrjeteve sociale e me militantët të Pakistanit, Indisë e vende të tjera besoni që kanë me u zhgënjyer në mbrëmjen e 14 shkurtit, kanë me u zhgënjyer sepse unë iu besoj qytetarëve të Kosovës, të Rahovecit”, tha ai.

Kandidati për deputet nga lista e LDK-së, Kujtim Shala pati një porosit për mbështetësit e LDK-në në Rahovec.

“Kam një lloj porosie për ju këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme jo vetëm në kuptimin kushtetues, por edhe në një kuptim të veçantë. Janë zgjedhjet më të rëndësishme për LDK-në pas luftës dhe janë pak a shumë sikurse në vitin 2000 në të cilat LDK duhet të dëshmojë organizimin e saj politik, të dëshmojë lidhjen që kanë njerëzit e saj, fuqinë politike të strukturës së saj përballë atyre që zgjedhjet nacionale si shpallin si referendum dhe kamuflojmë tendencën që ta shpërbëjnë Lidhjen Demokratike të Kosovë. E di që LDK ju e mbështesni dhe e votoni jo vetëm si parti e juaja, por edhe si parti që e doni dhe unë e di që LDK me 14 shkurt do të përsërisë rezultatin e saj shumë të mirë të zgjedhjeve të fundit, do ta rrisë tutje dhe do të dëshmojë se LDK është parti e madhe e solide e që do jetë këtu gjithmonë. LDK është partia që e identifikohet me shtetin e Kosovës jo vetëm si projektuese dhe themeluese saj, por edhe si partia politike dhe mendësia politika që do ta garantojë ekzistencën e këtij shtetit. Që ta kemi shtetin duhet të jemi ne”, tha Shala.

Ndërsa kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli që në zgjedhjet e 14 shkurtit garon në listë të LDK-së, tha se Kosova tashmë ka një qeveri që prapë duhet të votohet pasi siç u shpreh ai me qeverinë Hoti Kosova i ka dyert e hapura kudo.

“Të votojmë listën e LDK-së, është lista që përmban kandidatët më të mirë në Kosovë, njerëz jo të korruptuar dhe të denjët, njerëz që dinë të punojnë njerëz që e duan qytetarin e vetë e duan punën që e duan Kosovën. Prandaj, më 14 shkurt të festojmë festën e madhe dhe kjo do i jap të drejtë kryeministrit tuaj dhe kryeministrit tonë të vazhdojë punën. Kosova ka nevojë për ecje përpara, pa asnjë moment vakumi nuk kemi ndërmend të ndryshojmë qeveri. Kosova ka qeverinë e vetë e pamë se dyert për Kosovën me këtë qeveri janë të hapura kudo”, tha Pacolli.

Në këtë tubim u prezantuan edhe kandidatët e LDK-së nga komuna e Rahovecit, të cilët synojnë një ulëse në Kuvendin e Kosovës, e që janë Fehmi Cena, Jetlir Zymberaj, Ibrahim Kryeziu.

Exit mobile version