UBT News

Hoti: Mbi 3 mijë të moshuar aplikuan që ta marrin vaksinën antiCOVID

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti njoftoi se deri më tani 3 mijë e 500 persona të moshës mbi 80-vjeçare kanë aplikuar për t’u vaksinuar.

Në ditën e parë të vaksinimit të personave mbi 85-vjeç, Hoti njoftoi se deri në mesditë 77 persona janë vaksinuar në sallën “1 Tetori”.

“Sot në Kosovë ka filluar vaksinimi i grupmoshës mbi 85-vjeçare në mënyrë që të zbatohet ky plan i vaksinimit dhe të përfshihen target grupet që janë prioritare. Krahas tyre, vaksinimi do të bëhet edhe për të moshuarit që janë të vendosur në Shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, dhe pas përfundimit të këtij grupacioni do të fillojë procesi i vaksinimit për personat me probleme kronike, si ata që janë më diabet e dializë”, tha ai.

Hoti bëri të ditur se numri i personelit shëndetësor i vaksinuar kundër COVID-19 ka arritur në 4 mijë e 200, ndërsa shtoi se do të vaksinohen edhe ata që për arsye të ndryshme se kanë marrë vaksinën.

“Deri më sot procesi i vaksinimit është zhvilluar te profesionistët shëndetësorë të punësuar në publik e privat, ku 4 mijë e 200 persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës Astra Zenca dhe do të vaksinohen edhe ata që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të vaksinohen”, tha ai.

Të dielën e 28 marsit Kosova ka pranuar 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca përmes COVAX-it.

Exit mobile version