Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka takuar sot përfaqësues të bizneseve me të cilët ka folur për përfitimet nga marrëveshja për nxitje të investimeve me Korporatën e ShBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC).
Hoti para bizneseve tha se kjo marrëveshje është e dyta për nga rëndësia për ekonominë e Kosovës, pas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të vitit 2015, teksa ka shtuar se kjo mbështetje arrin vlerën e 1 miliard dollarëve si shumë fillestare. Ai theksoi se gjatë qeverisjes së tij janë munduar dhe angazhuar që t’u qëndrojnë pranë bizneseve private.
“Qarkullimi i bizneseve është më i madh se në vitin 2020 kur nuk ka pasur fare pandemi. Unë kërkoj nga ju që të ruani punësimin. Tash jemi para një situate të re më këtë marrëveshjen për nxitje të investimeve, dhe kjo është marrëveshja e dytë më e madhe pas asaj të Stabilizim Asociimit të vitit 2015. Kjo marrëveshje hap një perspektivë të madhe për mbështetje për sektorin publik dhe privat. Hekurudha Durrës-Prishtinë, financimi i autostradës Duhel-Lipjan dhe projekti i Brezovicës dhe disa të tjera do të jenë investimet në sektorin publik”, tha Hoti.
Ai përmendi edhe përparësitë që ofron kjo marrëveshje për sektorin privat, me ç’rast tha se kjo mbështetje përfshinë çdo sektor dhe çdo ide, dhe vetëm qielli është kufizim.
“Për sektorin privat hapet një dritare e madhe për të financuar bizneset. Garantimi i investimeve, risigurimi i projekteve, financimi i studimeve të fizibilitetit janë disa nga mundësitë që ofron DFC në zhvillimin e ekonomisë në Kosovë në vitet në vijim. Shuma totale shkon në 1 miliard dollarë me maturitet 25 vjet. Kjo është mundësia më e madhe që ka pasur Kosova”, u shpreh ai.
Hoti bëri të ditur se për të marrë këtë ndihmë ka edhe kritere e që janë ndikimi në ekonomi, inovacioni dhe gjithpërfshirja.