UBT News

Hoti: Marrëveshja në Uashington, forcon sovranitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 29 të saj. Para fillimit të kësaj mbledhje, kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën e tij në Uashington dhe Bruksel.

Hoti tha se marrëveshja e arritur në Uashington, e fuqizon sovranitetin e Kosovës në arenë ndërkombëtare, shkruan Telegrafi.
“Më lejoni të ju informoj se ne kemi arritur një marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë për normalizim të marrëdhënieve ekonomike me Serbinë në prezencën e presidentit Trump.
Marrëveshja është hap i madh drejt marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve që duhet të përfundoj me njohje.

Janë dy elemente kryesore të kësaj marrëveshje, e para është pjesa ekonomike projektet infrastrukturore të dizajnuara kryesisht nga ministria e infrastrukturës por edhe ministria e ekonomisë që në total shkojnë mbi 1 miliardë dollarë investime që përfshijnë autostradën Prishtinë-Merdarë, hekurudhën Prishtinë-Merdarë, studimin e fizibilitetit të hekurudhës që e lidh Prishtinën me detin Adriatik, mbështetje financiare për ndërmarrje të vogla e të mesme, investime në energjetikë përmes sjelljes së gazit në Prishtinë, termocentrali me gaz, dhe rrjeti shpërndarës i gazit”, ka thënë Hoti.

Hoti ka shtuar se në pjesën politike, kryesorja nga kjo marrëveshje ka qenë arritja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Izraeli.
“22 minuta pas nënshkrimit të marrëveshjes, kam pas telefonatë me kryeministrin e Izraelit ku më është kumtuar njohja”, tha Hoti. /Telegrafi/

Exit mobile version