Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti i ka dërguar një letër ambasadorëve të vendeve anëtare të QUINT-it dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar reagimin e tyre, pas deklaratave nxitëse të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe presionit dhe kërcënimeve të Listës Serbe, ndaj pakicave jo serbe në Kosovë.
‘’Këto deklarata si dhe presioni e frikësimi i pakicave jo-serbe, kanë për qëllim të ndërhyjnë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe të prishin proceset demokratike në vendin tonë. Këto sjellje janë të papranueshme. Ne kërkojmë nga ju që të merrni të gjitha masat e nevojshme ndaj kësaj qasje të rrezikshme dhe ta bëni të qartë se ndërhyrja në proceset politike në Kosovë nuk mund të kalojë pa pasoja, për ata që janë të përfshirë’’, ka shkruar Hoti.
Ai ka shprehur përkushtimin institucional të Kosovës për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, si garantuesin më të mirë për shprehjen e vullnetit të lirë të njerëzve dhe krijimin e institucioneve demokratike./UBTNews