Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk është e favorshme për Kosovën.
Në një intervistë për KosovaPress, ai thotë se nuk e di ku i ka pasur mendtë kryeministri Albin Kurti apo ka qenë në ndonjë zor të madh kur është dakorduar që pa njohje reciproke të pranojë formimin e Asociacionit, të jep aranzhime të vetëqeverisjes të komunitetit serb dhe t’i jep status të veçantë Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
Sipas tij, dakordimi për arritjen e marrëveshjes me Serbinë në bazë të planit të BE-së më 27 shkurt në Bruksel, dëshmon se kryeministri Kurti është mashtrues tipik.
“Shqetësuese është fakti që është degraduar procesi që Kosova tash është detyruar të pranojë një marrëveshje që nuk është aspekt e favorshme. Është detyruar të pranojë një marrëveshje, ku kemi marrë rrugën shumë të gjatë të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës dhe njohjes reciproke. Nuk shihet në perspektiv se kur do të përmbyllet çështja me Serbinë. Çështjet që i kemi të hapura me Serbinë mbyllen vetëm atëherë kur ndodh njohja reciproke. Dialogu ka qenë i strukturuar, dakoduar mes të palëve dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar për njohje reciproke në qeverinë e kaluar. Tash degradon dhe jemi tek një marrëveshje që është teknike, bile edhe në ato elemente teknike ka probleme fundamentale. Janë kritikuar qeveritë e kaluara kur kanë arritur marrëveshje teknike në procesin e dialogut, të cilat kanë qenë aranzhime të përkohshme në normalizimin e marrëdhënieve të dy vendeve që se kanë njohur njëra-tjetrën. Pra aranzhimeve të përkohshme, ndërkohë tash ky hynë në aranzhime që të mbesin aty për vite të tëra. Këto gjëra nuk janë sot për nesër, por do t’i përcjellin popullin e Kosovës për vitet e ardhshme”, thotë ai.
Ish-kryeministri Hoti, përmend disa nene të marrëveshjes që sipas tij janë të dëmshme për vendin. Në mesin e tyre, ai thotë se është katastrofë vetëm diskutimi për çështjen e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Ndërkohë vë në mëdyshje edhe termet në nenin shtatë të marrëveshjes ku flitet për vetëmenaxhim të komunitetit serb në vend, që sipas tij shkojnë përtej marrëveshjes për Asociacionin të vitit 2013 dhe asaj të parimeve më 2015.
“Këta pa njohje reciproke dakordohen ta zbatojnë marrëveshjen e Asociacionit, e cila në mënyrën si është shkruar në marrëveshje është e sigurt se shkon përtej marrëveshjes së vitit 2013 dhe marrëveshjes së parimeve të vitit 2015. Dakordohen që t’i japin status të veçantë Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Dakordohen që të diskutojnë aranzhmane vetëqeverisje të komunitetit serb në Kosovë. Unë nuk e di a i kanë pas mend me veti kur janë dakorduar për këto gjëra, apo çfarë zori kanë pasur që kanë pranuar këtë marrëveshje”, thekson Hoti.
Duke folur për Asociacion, Hoti thotë se dakordimi për zbatim të të gjitha marrëveshjeve të kaluara dëshmon sa “mashtrues” është kryeministri Kurti. Ai përmend edhe raportimin e djeshëm të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku mes tjerash iu referua edhe një letre që ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini i është drejtuar ish-kryeministrit Mustafa se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
“A po e vëreni që këta janë mashtrues tipik. Gjatë gjithë jetës së tyre politike vetëm kanë mashtruar. Është ushtruar dhunë brenda Kuvendit, institucioneve dhe nëpër sheshet e Prishtinës, kundër kësaj marrëveshje. Është shpallur Isa Mustafa tradhtar, kryeministrat paraprak për çështjen nga më të ndryshmet. Ndërsa tash thirren në marrëveshjet që këta kanë bërë atëherë. E kanë mashtruar Kuvendin para dy-tri jave me ato gjashtë kushtet e asociacionit. Ato siç ju kemi thënë në seancë, ato mund t’ia tregojnë vetës, elektoratit dhe Këshillit të Përgjithshëm kur i mbajnë të dielën. Por jo parterëve ndërkombëtar, ndërmjetësve, pasi nuk komunikohet me ultimatume me partnerët ndërkombëtar”, deklaron Hoti.
Ndërkaq, sa i përket njohjes de-facto, ish-kryeministri thotë se atë e kanë kaluar moti dhe tash ishte mëse e rëndësishme njohja de-jure nga Serbia.
“Njohje de-facto të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë ka pasur që nga marrëveshjet e para, vitit 2013 kur janë nënshkruar marrëveshje mes dy shteteve. Kur është nënshkruar marrëveshja e vitit 2015 nga kryeministri Isa Mustafa, vetëm pika në atë marrëveshje ku thuhet se statuti i Asociacionit përpara se të dekretohet nga Qeveria e merr opinionin e Gjykatës Kushtetuese, çka nënkupton kjo. Po ashtu marrëveshja për vendosjen e zyrave ndërlidhëse Prishtinë-Beograd, a është kjo njohje de-facto. Nuk është mirë që kryeministri aktual t’iu tregoj përralla njerëzve për njohjen de-facto, pasi këtë kemi kaluar moti”, shton ai.
Në anën tjetër, ai thotë se kryeministri Kurti i harroi edhe parimet nga e kaluara, kur pranoi që në pikën dy të preambulës së marrëveshjes të tejkalohet e kaluar, ani pse Serbia ende s’ka kërkuar falje dhe s’ka paguar për shpërblimet për dëmet e luftës.
“Në pikën e dytë të preambulës thuhet që duke tejkaluar të kaluarën dhe harruar atë, ndërkohë ky (Kurti) na ka qorruar sytë duke thënë se duhet me pas kërkim falje, shpërblime për dëmet e luftës, të pagjeturit dhe të tjera, kurse tash në preambulë e ka që palët pajtohen që shkojnë përtej të kaluarës dhe të shohin nga e ardhmja”, përfundon Hoti.
Të hënën, kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, u takuan në Bruksel për ta diskutuar propozimin evropian. Megjithëse ndërmjetësuesi i dialogut, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se palët janë pajtuar në parim për këtë propozim, nuk pati nënshkrim të tij.
Ai tha se ai ishte i ishte i gatshëm për ta nënshkruar planin, por se për këtë nuk ishte Vuçiqi, ndërkohë, Borrell theksoi se palët janë shprehur të gatshme të diskutojnë edhe për zbatimin e planit, derisa paralajmëroi një takim tjetër në muajin mars.