Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se qeveria e ardhshme ka shumë punë për sanimin e dëmeve “të shkaktuara me ligje e ndërhyrje kontradiktore kundër biznesit”, duke përmendur ligjin e ri për procedurat tatimore.
Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti të mërkurën duke thënë se sipas këtij ligji, nëse biznesi paguan më shumë TVSH në Administratën Tatimore, nuk mund ta shfrytëzojë atë kreditim tatimor mbi tri vjet.
Sipas Hotit, kur të kalojë kjo periudhë, shuma e parapagimit tatimor për biznesin është humbur.
“Sipas ligjit të ri për procedurat tatimore, nëse biznesi ka paguar më shumë TVSH në administratën tatimore, nuk mund ta shfrytëzojë atë kreditim tatimor mbi 3 vjet. Sapo të kalojë periudha 3-vjeçare ajo shumë e parapagimit tatimor për biznesin është e humbur. Ndërkaq, pagesat e tepërta të tatimit në fitim për periudhën mbi 3-vjeçare nuk mund të rimbursohen e as të transferohen në obligime të tjera tatimore që biznesi ka ndaj shtetit. Ky është rezultati i ‘reformave tatimore’ kur ato bëhen pa debat publik shterues dhe miratohen me procedura të përshpejtuara në Kuvend”, ka shkruar anëtari i Kryesisë së LDK-së.
Deputeti opozitar tutje ka shtuar se ka dëme edhe në parimet e ekonomisë dhe të tregut të lirë social. “Qeveria e ardhshme ka shumë punë për sanimin e dëmeve të shkaktuar me ligje e ndërhyrje kontradiktore kundër biznesit dhe parimeve të ekonomisë së tregut të lirë social”, ka thënë ai./UBTNews/