Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se Kosova nuk është para kolapsit, por është në një gjendje emergjente shëndetësore.
Para deputetëve, shefi i Qeverisë deklaroi se Ministria e Shëndetësisë e ka riorganizuar sistemin shëndetësor.
“Atë çfarë kemi bërë deri tash kemi raportuar disa herë në Kuvend, tash që po përballemi me valën e dytë i kemi organizuar edhe njëherë komplet klinikat, nuk jemi para kolapsit, jemi në gjendje emergjente. I kemi ndërmarrë masat e domosdoshme, e kemi përmiresuar furnizimin me barna. Po punojmë shumë për sigurimin e vaksinës antiCOVID. Kemi marrë një vendim ku i kemi kategorizuar komunat”, deklaroi ai.
Ai ka thënë se është rregulluar çështja e shtesave dhe do të shohin mundësinë që t’iu dalin në ndihmë edhe personave që janë prekur me COVID-19.
Kryeministri Hoti deklaroi se familjeve me asistencë iu është dyfishuar asistenca sociale deri në dhjetor.
Në fund ai iu ka bërë thirrje deputetëve ta votojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike./UBTNews