Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me vartësin e tij, Armend Zemaj i cili drejton Ministrinë e Shëndetësisë, kanë vizituar sot menaxhmentin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, të cilët i ka falënderuar për punë e bërë gjatë pandemisë me Covid-19. Hoti ka thënë se Kosova është ndër vendet që më së miri e ka menaxhuar pandeminë, duke shtuar se po vazhdon përballja me betejën e fundit në luftën me COVID-19.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se numri i personave me COVID-19, të shtrirë në spitale është në rënie e sipër.
“Por nuk është përmbyllur ende kjo pandemia, andaj kemi nevojë për vëmendje të plotë, për kujdes maksimal, në veçanti tash në kohë të festash kur lëvizjet e qytetarëve janë më të mëdha, e kemi diasporën tonë që masivisht është kthyer në Kosovë te familjet e tyre. Jemi në betejën e fundit të kësaj lufte, betejat paraprake i kemi fituar, duhet ta fitojmë edhe këtë betejë të fundit për ta fituar komplet luftën. Është lajm i mirë që edhe sot i informatat janë që numri i njerëzve të shtrirë nëpër klinika COVID është në rënie e sipër”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se ministri i Shëndetësisë është duke punuar në sigurimin e vaksinës kundër Covid-19, duke shtuar se planet janë që të sëmurët kronikë do të jenë ndër të parët që do të marrin vaksinën.
“Kosova absolutisht renditet në mesin e vendeve që më së miri e kanë menaxhuar pandeminë, besoj që në tre-katër muajt e ardhshëm ta përmbyllim plotësisht, ministri Zemaj është duke punuar shumë në sigurimin e vaksinës, edhe përmes Covax, edhe përmes Komisionit Evropian dhe disa vendeve partnere”, ka thënë ai.
Në takimin falënderues me menaxhmentin e ShSKUK-së, Hoti ka thënë se mënyra e menaxhimit të pandemisë nga mjekët është model. Ai ka bërë thirrje për respektim të masave duke shtuar se nevojiten edhe tre apo katër muaj vëmendje për të dalë nga pandemia.