Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në ceremoninë solemne rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, deklaroi se viteve të fundit ka rënie të rasteve të trafikimit me njerëz në Kosovë. Hoti deklaroi se kjo ka ndodhur falë punës së institucioneve dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar.
“Ekziston një kornizë ligjore për luftimin e kësaj dukurie. Por edhe politika, masat konkrete që kanë marrë institucionet tona. Referuar statistikave të viteve të fundit, ka rënie të rasteve të trafikimit me njerëz.”, deklaroi shefi i Qeverisë mes tjerash.
Hoti kërkoi koordinim të plotë institucional kundër kësaj dukurie si dhe bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar.
“Mendoj që është e nevojshme një koordinim i plotë institucional kundër kësaj dukurie. Përtej bashkëpunimit të brendshëm ndërinstitucional ka nevojë për bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar. Puna që ka bërë ministria, bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare shpresoj se do të sjellë rezultate pozitive.”, deklaroi ai./UBTNews