Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për respektimin e të drejtave të njeriut dhe përfaqësim reciprok e pa dallime. Ai në takimin e Grupit Koordinues Ndërministror për të Drejtat e Njeriut, tregoi edhe punën që ka bërë Qeveria në respektimin e të drejtave të njeriut.
“Si qeveri jemi të përkushtuar që të drejtat e njeriut të jenë të përfaqësuara denjësisht, mbi respektin reciprok pa dallime. Qeveria e Kosovës ka bërë progres duke miratuar një pako të ligjit gjithëpërfshirës, duke synuar që të ketë avancim në barazi të plotë të këtyre kategorive”, u shpreh kryeministri Hoti.
Mes tjerash kryeministri Hoti, miratimin e programit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave te njeriut e sheh si një dokument strategjik i cili parasheh mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Do të fokusohemi në të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e tyre në secilën formë”, tha kryeministri Hoti.
Avokati i Popullit, Naim Çelaj theksoi që një nga instrumentet që fuqizon nivelin e demokracisë në një vend është zbatimi i rregulloreve mbi të Drejtat e Njeriut. Tutje theksoi që ky grup ndërministror duhet t’i përgjigjet Avokatit të Popullit.
“Është detyrim ligjor t’i përgjigjen Avokatit të Popullit mbi angazhimin dhe realizimin e objektivave mbi të Drejtat e Njeriut”, u shpreh Çelaj.
E theksoi edhe faktin që vërehet rritje e angazhimit mbi raportim të drejtë nga ky grup.
“Kohëve të fundit vërehet një rritje e nivelit mbi angazhimin dhe raportimin nga ky grup ndërministror mbi të Drejtat e Njeriut”, tha Çelaj.
Në anën tjetër, ministri i Arsimit, Ramë Likaj theksoi që situata pandemike ka ndikuar ndjeshëm në arsimin tek fëmijët.
“Jemi munduar maksimalisht që kujdesi për grupet e margjinalizuara të jetë e shëndoshë”, tha ministri Likaj.