UBT News

Hoti: Jemi në rrugën e duhur në menaxhimin e pandemisë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka vizituar sot ShSKUK-në. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Hoti u shpreh se Kosova është në rrugën e duhur në luftimin e COVID-19.

“Rënia e shifrave gjatë ditëve të fundit na ka dhënë njëfarë relaksim, qetësie shpirtërore dhe për këtë ju përgëzoj për punën që e keni bërë deri tash. Tash po hyjmë në fazën e vjeshtës. Besoj që jemi në rrugë të duhur. Shpresoj që do të filloj shpejt vaksinimi i rregullt në vjeshtë që të kemi një mbrojtje për të sëmurët kronik, fëmijët dhe grupet e rrezikuara. Besoj që tashmë është arritur të rritet vetëdija e qytetarëve për rrezikun e këtij virusi”, deklaroi mes tjerash Hoti.

Ai theksoi se para disa muajve 30-40% e qytetarëve nuk kanë besuar në këtë virus, por tashmë situata është ndryshe.

Hoti shtoi se përballja me pandeminë na dhënë një mundësi që të bëjmë një rikonstruktim komplet të shëndetësisë dhe institucioneve shëndetësore në nivel vendi.

“Një ristrukturim që ndoshta nuk ka ndodhur në 30 vitet e fundit, që të përballemi me këtë pandemi dhe pandemitë që mund të paraqiten në vitet në vijim”, u shpreh ai.

Shefi i Qeverisë potencoi se vala e dytë është rikthyer në disa vende të Evropës, prandaj theksoi se duhet kujdes i shtuar dhe të jemi të përgatitur për zhvillimet që mund të ndodhin./UBTNews

Exit mobile version