Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar pas njoftimit të ATK-së se të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin publik apo privat, do të paguajnë më pak tatim për shkak se rritet vlera e pagës që lirohet nga tatimi duke thënë se Qeveria e Kosovës për katër vite rriti pagat për 6.8 euro.
Ai ka ironizuar duke thënë ja sa “të thella” janë politikat fiskale në këtë mandat qeverisës.
“Krejt politikat fiskale të Qeverisë Kurti përmblidhen në uljen e tatimit në paga për 6.8 euro, i cili hyn në fuqi nga shtatori. Ja sa “të thella” janë politikat fiskale në këtë mandat qeverisës!!! Vendi është varfëruar pasi inflacioni i ka ulur pagat reale me rreth 1/3. Pagat në sektorin publik nuk janë rritur, së paku nominalisht për tu mbrojtur nga inflacioni. As pensionet dhe përfitimet e tjera nuk janë rritur, përjashto ndihmat e njëhershme. Por energjia dhe tatimi në pronë janë rritur, së bashku edhe me rritjen enorme të çmimit të ushqimeve”, ka shkruar Hoti.
Sipas Hotit, Kurti dhe koalicioni i tij me Osmanin dhe të tjerët e kthyen Kosovën në problem të sigurisë për aleatët.
“Kjo është e kuptueshme pasi Kurti dhe koalicioni i tij me Osmanin dhe të tjerët e kthyen Kosovën në problem të sigurisë për aleatët. Qasja e tyre, e bazuar në agjenda politike lokale dhe e paakorduar me aleatët, e bllokoi agjendën euro-integruese të Kosovës, i bllokuan njohjet e reja dhe anëtarësimet në organizma ndërkombëtarë dhe e ktheu Kosovën prapa. Sot, Kosova shihet nga aleatët jo si një vend me sfida për integrim euro-atlantik, por si një vend me sfida të sigurisë rajonale, ku duhet rritur praninë e KFOR-it, e duhet vizituar nga zyrtarët më të lartë të inteligjencës”, ka vijuar Hoti.
Ndryshe, ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin publik apo privat, do të paguajnë më pak tatim për shkak se rritet vlera e pagës që lirohet nga tatimi.
Kjo pasi Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se më 23 gusht ka hyrë në fuqi ligji për pagën minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore kësisoj nga muaji shtator të punësuarit në Kosovë do të marrin nga 6.8 euro më shumë në pagë.
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji me nenin 5 ndryshohen shkallët tatimore të cilat janë të përcaktuara në nenin 6 të Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatim në të Ardhurat Personale.