UBT News

Hoti ia dorëzon detyrën Kurtit

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ia dorëzoi sot detyrën kryeministrit të ri, Albin Kurti. Ceremonia shtetërore e pranim-dorëzimit u mbajt në orën 10:00.

Pas konstituimit të Kuvendit, ditën e djeshme Kurti u zgjodh kryeministër me 67 vota për
dhe 30 kundër.

Hoti mbrëmë, në një konferencë për media pasi u zgjodh qeveria e re, ka paralajmëruar se do t’ia dorëzojë detyrën pasardhësit të tij duke thënë se një gjë e tillë duhet të bëhet standard.

Hoti shtoi po ashtu se me rastin e dorëzimit të detyrës, Kurtit ia ka dorëzuar edhe informacionet lidhur me proceset që ka drejtuar ai duke qenë në krye të ekzekutivit.

“Mënyra e dorëzimit të detyrës përbën standard. Ky standard pres që të respektohet kurdoherë që ndërrohen qeveritë. Është tepër e rëndësishme për maturitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Kryeministri i ri pres të sillet me përgjegjësi në dorëzimin e detyrës tek kryeministri i ardhshëm. Do t’ia dorëzojë informacionet e plota për IPA-n, diskutimet që kemi bërë me vendet e BE-së veç e veç për procesin e liberalizimit të vizave. Do t’ia dorëzojë informacionet e plota për procesin e dialogut, Marrëveshjen e Washingtonit dhe realizimin e obligimeve të kësaj marrëveshjeje”, ka përfunduar Hoti.

Ndërkaq vlen të ceket se dorëzimin zyrtar të detyrës nuk e kishte bërë Albin Kurti kur Avdullah Hoti u bë kryeministër.

Kjo ndodhi pasiqë Kurti, qeveria e të cilit u rrëzua vetëm pas 51 ditësh në pushtet, kishte thënë se nuk mund ta pranonte atë që e kishte shkarkuar vetë./UBTNews

(Raporti është shkruar nga studentet e UBT-së, Anita Bakalli dhe Lea Krajkova).

Exit mobile version