Ish-kryeministri Avdullah Hoti, sot i quajti farsë takimet publike të Qeverisë nëpër qytete për buxhetin e vitit 2023.
Hoti potencoi se konsultimet për buxhet zakonisht mbahen para përgatitjes së buhetit.
Sipas Hotit, konsultime për buxhet do të duhej të mbaheshin me biznese për mosrealizimin e investimeve kapitale.
“Konsultime do të duhej të mbaheshin me Kryetarët e Komunave për nevojat e tyre, të cilëve Qeveria po tenton tua marrë buxhetin nga të hyrat vetanake të viteve paraprake.Para përgatitjes së buxhetit do duhej të bisedohej me organizata buxhetore, të cilat për shkak të shkurtimeve buxhetore nuk kanë mundësi të ofrojnë shërbimet për të cilat janë të mandatuar, siç është rasti i RTK-së apo i universiteteve publike. Si do të arsyetohet Kryeministri para qytetarëve për afër 700 mil euro që i mban në bankë pa nevojë, e nuk i rrit pagat e policëve, të mjekëve, të arsimtarëve, të shërbyesve civil etj., të cilëve u janë zvogëluar pagat për 20% për shkak të inflacionit?! Si do të arsyetohet Ministri i Financa për 276 mil euro apo 9% e buxhetit total për 2023, të cilën shumë e mban të pashpërndarë në projekte, që është sa dyfishi i buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes?! Si do të arsyetohen qeveritarët që sivjet nuk i realizuan projektet kapitale – as projektet në vazhdim e as të rejat që ishin projekte që vetë i planifikuan?!”, shkroi Hoti në Facebook.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti sot prezantoi buxhetin e vitit 2023 në Prizren.