Gjatë këtij muaji pritet të arrijë kontigjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinës antiCOVID nga COVAX. Nga ky mekanizëm, Kosova do të përfitojë 100 mijë e 800 doza të vaksinës antiCovid-19.
Kështu ka shkruar në Facebook kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, teksa njoftoi se janë duke u zhvilluar negociata intensive edhe me prodhues të tjerë për të siguruar numrin e nevojshëm të vaksinave me qëllim të imunizimit të plotë të popullsisë.
Pas takimit me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe me drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ai tha se Kosova gjendet para një vale të re të shpërthimit të pandemisë.
“Pasi që vendi gjendet para një vale të re të shpërthimit të pandemisë Covid-19, kërkuam mirëmbajtjen e masave në fuqi dhe respektimin e plotë të tyre. Ndërkohë që, institucionet shëndetësore janë duke punuar intenzivisht për rritjen e kapaciteteve, sigurimin e barnave dhe rritjen e numrit të personelit mjekësor. Nga shtabet komunale, policia, AVUK-u dhe Inspektoratet, kërkuam që të rrisin angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 dhe në të njëjtën kohë të bëjnë respektimin rigoroz të masave në fuqi”, shkroi ai në Facebook.
Hoti ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura./UBTNews