Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti falënderon institucionet e Bashkimit Evropian për gatishmërinë që të vazhdojnë mbështetjen e pakursyer për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, në menaxhimin e krizës të cilën e ka shkaktuar pandemia COVID-19.
Hoti mirëpret deklaratat e Komisionarit për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, të shprehur në një videokonferencë me përfaqësues të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në të cilën ai ka thënë se BE-ja po sigurohet që vaksinat kundër COVID-19, të jenë të gatshme për vendet e këtij rajoni në të njëjtën kohë kur do të fillojnë të arrijnë edhe në vendet e BE-së.
Komisionari Varhelyi në këtë takim ka vënë theksin tek rëndësia e bashkëpunimit për të tejkaluar pandeminë dhe gatishmërinë e institucioneve të BE-së që të ndihmojnë vendet fqinje, ashtu siç i quan vendet e Ballkanit Perëndimor, ku thekson se e ardhmja e këtyre vendeve është në Bashkimin Evropian./UBTNews