Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se ka pranuar një letër zyrtare nga emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak, në të cilën atij i kërkohet që Kosova të respektojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë të arritur në Bruksel.
Para mediave, shefi i Qeverisë deklaroi se çdo kërkesë për vizitë do të trajtohet në kontekst të ndjeshmërisë së situatës.
“Kosova është pro lëvizjes së lirë dhe po punojmë në kuadër të dialogut që të përmbyllin gjitha çështjet e hapura me Serbinë. Unë kam pranuar letrën nga Lajçak dhe jam në komunikim të rregullt me të, por çdo kërkesë për vizitë do të trajtohet në kontekst të ndjeshmërisë së situatës nëpër të cilën po kalojmë”, deklaroi ai.
Ndërkaq sa i përket qëndrimit të ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ai u shpreh se qëndrimet zyrtare të Qeverisë i paraqet Hoti.
Haradinaj-Stublla para disa ditësh deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe të tjerët, s’do të kenë leje ta vizitojnë Kosovën, përderisa nuk kërkojnë falje për gjenocidin e kryer në Kosovë. Si shenjë proteste ndaj qëndrimit zyrtar të MPJ-së, ka reaguar Lajçak, i cili i ka dërguar letër zyrtare Hotit./UBTNews