UBT News

Hoti: Dje në Bruksel u diskutua për dy çështje specifike, deklaratat e zyrtarëve serb s’i marr seriozisht

Me ndërmjetësim të Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dje në Bruksel u mbajt takimi i radhës Kosovë-Serbi. Qeveria e Kosovës dje njoftoi se temë e diskutimit ishte zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili po merr pjesë në këto takime në emër të palës serbe, u tha mediave në Bruksel se gjatë takimit të së enjtes (29 tetor) ata ngritën çështjen e formimit të Asociacioni të Komunave me shumicë serbe, dhe këmbëngulën në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, që sipas tij, “është e nevojshme për vazhdimin e dialogut, por edhe për ndërtimin e besimit shumë të nevojshëm midis të dy palëve”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mohoi se është diskutuar për këtë temë, teksa ripërsëriti se kjo është temë e mbyllur.

“Te përsëris atë qe e kam thënë vazhdimisht – dialogu bëhet vetëm për njohje reciproke, çfarë deklarojnë zyrtarë të delegacionit serb kur dalin prej takimit s’i marr fare seriozisht, bisedat dje janë bërë për dy çështje specifike. Parimet e dialogut janë të qarta, dialogu është për marrëveshje përfundimtare, s’ka dakordim për asnjë temë dhe zbatim të asnjë çështje, derisa nuk përmbyllet e gjithë marrëveshja”, deklaroi Hoti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë./UBTNews

Exit mobile version