UBT News

Hoti: Dialogu çështje muajsh, nëse s’ka njohje Kosova vazhdon si shtet i pavarur

Kryeministri Avdullah Hoti edhe njëherë ka ripërsëritur nga Rahoveci, se janë duke u munduar që të organizojnë sa më shpejt që të jetë e mundur takimin me partitë politike sa i përket çështjes së presidentit.

Hoti ka theksuar se edhe janari është vonë për të gjetur një zgjidhje lidhur me çështjen e presidentit.

“Kushtetuta është e qartë, maksimum që mund të vazhdojë kjo situatë është gjashtë muaj, por ne nuk do të presim gjashtë muaj, unë besoj që edhe janari është vonë për të arritur marrëveshje”, deklaroi shefi i Qeverisë.

Kur foli për dialogun me Serbinë, ai tha se nëse nuk arrihet njohja e ndërsjellë, Kosova do të vazhdojë si shtet i pavarur.

“Dialogu si proces është çështje muajsh, do të vijojmë te fundi shumë shpejtë, nëse nuk e arrijmë njohjen e ndërsjelltë, Kosova do të rrugëtojë si shtet i pavarur”, shtoi Hoti.

Lidhur me shkarkimin e drejtorit të AKI-së, ai ka thënë se është vendim shtetëror i bazuar në Kushtetutë.

Këto komente Hoti i bëri gjatë vizitës në “Bodrumin e Vjetër” në Rahovec, bashkë me ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafa.

Ruzhdi Haxhijahja, tha se pandemia u ka shkaktuar dëme sa i përket edhe konsumit dhe prodhimit. Përderisa mbështetje atij i kanë garantuar Hoti e Mustafa, raporton EO.

Exit mobile version