UBT News

Hoti dhe Varhelyi ngritën shqetësimin për futjen ilegale të vaksinave antiCOVID në veri

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në një bisedë telefonike me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën me pandeminë COVID-19.

Kryeministri Hoti e ka siguruar Varhelyin se Kosova do të vazhdojë të ketë stabilitet institucional dhe fiskal, do ta trajtojë me prioritet menaxhimin e pandemisë dhe do t’i kryejë të gjitha obligimet që dalin karshi procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Hoti me këtë rast e ka falënderuar Varhelyin edhe për përkrahjen në lansimin dhe zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane ERA 2.

“Sa i përket sigurimit të vaksinës kundër Covid-19, Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se një sasi e saj do të arrijë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Të dy bashkëbiseduesit ngritën shqetësimin për hyrjen ilegale të vaksinës kundër Covid-19 në Kosovë, pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina. Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës kanë inicuar veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime”, theksoi ai.

Kryeministri Hoti e siguroi komisionerin Varhelyi se në kuadër të planeve për vaksinim janë përfshirë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim./UBTNews

Exit mobile version