Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se deri në fund të vitit do të shpenzohen mbi 8 miliardë euro dhe efektet janë të pavërejtshme. Sipas tij, është përkeqësuar struktura e buxhetit dhe investimet kapitale kanë rënë në 16 për qind.
Në seancën plenare ku po shqyrtohet për herë të parë projektbuxheti për vitin e ardhshëm, Hoti theksoi se ka rritje masive të subvencione dhe ulje të investimeve kapitale.
“Gjatë këtij mandati qeverisës 2021-2024, në total kjo mazhorancë ka menaxhuar, pra me buxhetin e vitit 2024, menaxhohen 11.4 miliardë euro. Ka pasur në dispozicion për të shpenzuar. Deri më tani janë shpenzuar, pra me mbarimin e këtij viti, shpenzohen 8.1 miliardë euro dhe më duhet ta them dhe ta përsërisë që efektet konkrete janë shumë të pavërejtshme. Njëra ndër arsyet që besoj se është shumë e qëndrueshme është se ka ndërruar struktura e buxhetit, është përkeqësuar struktura e buxhetit. Nëse e krahasoni vitin 2017 me vitin 2022, investimet kapitale kanë rënë nga 36 për qind në 16 për qind të buxhetit, si shpenzim real jo vetëm si planifikim. Ndërkaq, subvencionet janë rritur nga 23 për qind në 41 për qind të buxhetit”, deklaroi Hoti.
Hoti teksa kritikoi punën e qeverisë aktuale, shtoi se trendi i rritjes ekonomike është në rënie. Sipas tij, 1 miliard euro më pak janë të shpenzuara për shkak të rënies së investimeve kapitale.
“Në mbrojtje ku duhet të shpenzojmë rreth dy për qind, në fakt ne duhet të shpenzojmë më shumë për të krijuar stokun e pajisjeve në sektorin e mbrojtjes dhe më pas për t’i mirëmbajtur ato me shpenzime prej dy për qind të produktit të brendshëm. Në vitin 2024 planifikimi është që të shpenzohen 1,45 për qind për mbrojtje dhe trendi është rënës në tri vitet e ardhshme, bie në 1,30 për qind. Në arsim e njëjta gjë, ne duhet të shpenzojmë rreth 6 për qind të produktit të brendshëm bruto, të dhënat tregojnë për 2024 do të shpenzojmë vetëm 3,51 për qind dhe trendi është rënës dhe bie 3,20 për qind”, shtoi ai.
Hoti theksoi se në mes dy leximeve duhet të rishikohet çështja e pagave dhe skemat sociale, të cilat sipas tij duhet të indeksohen me normën e inflacionit.