Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se çështja e të pagjeturve është një nga temat kryesore në procesin e dialogut me Serbinë.
Hoti deklaroi se kjo çështje i shqetëson të gjithë, dhe se po bëjnë përpjekje maksimale në këtë çështje që të zbardhet fati i personave të pagjetur.
“Siç e kam potencuar disa herë, dialogu me palën serbe e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian jo rastësisht ka filluar me temën e parë siç është çështja e të pagjeturve”, ka thënë kryeministri Hoti.
Shefi i Qeverisë u shpreh se kjo do të jetë tema kryesore për mbylljen e marrëveshjes me Serbinë.
“Synimi im themelor është gjetja dhe riatdhesimi i trupave ende të pagjetur. Në funksion të këtij qëllimi të përbashkët Marrëveshja me Serbinë do të jetë kjo çështje, dhe do të jetë çështja kryesore për mbylljen e marrëveshjes me Serbinë”, ka thënë Hoti./UBTNews