UBT News

Hoti: Brenda disa javësh pritet të arrijnë dozat e para të vaksinës antiCOVID

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se për disa javë pritet të arrijnë dozat e para të vaksinës antiCOVID.

 “Jemi në fazën finale të kësaj pandemie, për disa javë presim arritjen e vaksinave dhe do të fillojmë vaksinimin masiv. Informatat që mora dje nga ministri i Shëndetësisë dhe drejtori i IKSHPK-së, janë shumë inkurajuese edhe për përgatitjet teknike”, tha Hoti në mbledhjen e Komitetit për vlerësimin e situatës me COVID-19.

Ai tha se përkundër kritikave që kanë marrë nga oponentët politikë për vaksinat, si qeveri janë angazhuar që në vend të sjellin vetëm vaksina të certifikuara nga BE, dhe jo me prejardhje të dyshimtë, sikurse vendet e rajonit.

“Informatat që mora nga drejtori i Institutit është se janë duke u bërë përgatitjet. Jemi kritikuar edhe për vaksinën, por ne kemi dashur të sjellim vetëm vaksinë të certifikuar dhe nuk kemi pranuar të hyjmë në lojë që të pranojmë vaksina të dyshimta sikurse bënë vendet e rajonit. Jam i sigurt se do t’ia dalim mbanë bashkë”, u shpreh ai.

Naser Ramadani, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës njoftoi se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik po pret që vaksinat të vijnë së shpejti, dhe sapo të vijnë, do të fillojë vaksinimi.

Drejtori i Klinikës emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani ka deklaruar se në nivel vendi 632 persona janë të hospitalizuar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale./UBTNews

Exit mobile version