Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është shprehur i bindur se bisedat telefonike të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me terroristin Milan Radoiçiqi janë bërë me dijeninë dhe koordinimin e plotë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hoti ka thënë se këtë situatë e rëndon edhe më shumë fakti që biseda është bërë në kohën kur Radoiçiq tashmë ishte në kërkim sipas legjislacionit në Kosovë.
“Me shqetësim edhe për nga përmbajtja e këtyre bisedave, por edhe për mënyrën se si është qas mazhoranca atyre përgjimeve. Në kohën kur është bërë ajo bisedë, ai person ka qenë i ndjekur sipas ligjit, pra është biseduar me një person që është në kërkim sipas legjislacionit në Kosovë. Bisedat që janë bërë me atë person, nuk janë me një zyrtar të thjeshtë ose të një qytetari privat, janë të shefes së Grupit Parlamentar të mazhorancës në Kuvend, dhe nuk ka si të interpretohet ndryshe, sepse Kusari-Lila, si shefe e grupit parlamentar të mazhorancës vepron dhe koordinon agjendën legjislative në emër të kryeministrit. Pra, ajo atë bisedë nuk ka logjikë ta ketë bërë pa dijeninë paraprake të kryeministrit, dhe pa informuar pas bisedës atë, nuk ka si të kuptohet ndryshe. Por duke parë mënyrën si i kanë menaxhuar këta njerëz proceset, nuk pret reagim tjetër prej këtyre”, deklaroi Hoti.
Në lidhje me pretendimet e kryeministri Kurti se këto biseda janë të montuara, Hoti i ka bërë thirrje të parit të ekzekutivit që të kërkojë hetime për t’i sqaruar këto pretendime.
“Nëse kryeministri ka një fije integriteti, dhe beson se përgjimet janë të montuara, duhet të kërkojë nga prokuroria që të angazhohet për të ndjekë personat që po montojnë këto. Ndryshe, mbesin fjalë vetëm për publikun pa asnjë mbulesë”, thotë Hoti.
Në anën tjetër, deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti ka këmbëngulur që Kurti duhet të jap dorëheqje, pasiqë sipas tij, ai tashmë është dorëzuar dhe nuk është në gjendje të çoj mandatin e tij deri në fund.
“Duket që nuk ka disponim politik për të shpërndarë Kuvendin. Më vjen keq edhe për mënyrën si interpretohet shpërndarja e Kuvendit, duke e fut në lojë edhe opozitën në këtë aspekt. Në momentin që kryeministri rreth dy muajve ka dalë publikisht dhe ka thënë që është i gatshëm që të shpërndahet Kuvendi dhe të shkojë vendi në zgjedhje, ai praktikisht ka dhënë dorëheqje, është dorëzuar në një mënyrë, nuk është në gjendje të çoj mandatin e tij deri në fund. Tash një person që ka integritet politik për fjalën e dhënë karshi publikut, do duhej të jepte dorëheqje, dhe ta pranonte përgjegjësinë për dështimin në proceset kapitale që po shkon vendi. E vërteta e kësaj është se kryeministri efektivisht ka dhënë dorëheqje, ai duhet ta materializojë këtë përmes aktit të dorëheqjes, në mënyrë që të hapet rruga për zgjedhje të parakohshme. Ndryshe, në vjeshtë futemi në afate të rregullta kohore për zgjedhje”, thotë Hoti në fund.