Zyra e Kryeministrit njofton se është arritur marrëveshja për përdorimin e rrugëve që kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.
Sipas njoftimit, kjo marrëveshje është rezultat i diskutimeve disa mujore, por konstruktive dhe frytdhënëse, midis Komunës së Deçanit dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse në Manastirin e Deçanit.
“Mekanizimi i përhershëm i implementimit dhe mbikëqyrjes (Këshilli i Implementimit dhe Mbikëqyrjes) mbështetur në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura (nr. 03/L-039) ka miratuar termet e kësaj Marrëveshjeje dhe kështu i është dhënë drita e gjelbër veprimeve të dakorduara për implementim.Kam qenë i përkushtuar qysh në fillim që të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjes sa më të mirë dhe të pranueshme, e cila ndihmon lëvizjen e lirë të qytetarëve, si liri e garantuar, por edhe të respektojë dhe të mbrojë trashëgiminë religjioze dhe kulturore të asaj zone. Me arritjen e kësaj marrëveshjeje, dëshmohet se Republika e Kosovës është vend i të barabartëve, liritë dhe të drejtat e të cilëve respektohen dhe mbrohen njësoj”, thuhet në njoftim./UBTNews