UBT News

Hoti: Ambasadorët janë zë i fuqishëm i Kosovës në botë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një video konferencë me ambasadorët e Kosovës, të cilët shërbejnë në misione diplomatike nëpër vende të ndryshme në botë.

Me këtë rast, Hoti tha se ambasadorët janë përfaqësuesit më të denjë për të prezantuar Kosovën në vendet ku ata shërbejnë dhe për këtë është i rëndësishëm koordinimi dhe përkushtimi maksimal në punën e tyre.

“Kryeministri Hoti, po ashtu, ka kërkuar nga ambasadorët që me punën e tyre të jenë zë i fuqishëm i Kosovës në botë, pasi që Republika e Kosovës është në një fazë shumë të rëndësishme të shtetndërtimit dhe konsolidimit të përgjithshëm”, thuhet në njoftimin për media.

Duke theksuar orientimin euroatlantik të shtetit të Kosovës, kryeministri Hoti vlerësoi rolin e rëndësishëm të ambasadorëve në forcimin e lidhjeve me vendet mike në të gjitha aspektet.

“Qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë me partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në procesin e rimëkëmbjes ekonomike si pasojë e pandemisë COVID -19, si dhe në shumë procese nëpër të cilat është duke kaluar Kosova”, u shpreh Hoti.

Duke folur për projektet zhvillimore në Kosovë në planin e brendshëm, kryeministri Hoti tha se Qeveria është duke punuar me përkushtim në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një klime të favorshme për investimet e huaja. /Telegrafi/

Exit mobile version