Duket se Honda dhe Nissan nuk po arrijnë të shkëputen plotësisht nga njëra-tjetra.
Vetëm disa muaj pasi ndërprenë bisedimet për një bashkim të mundshëm, dy prodhuesit e mëdhenj japonezë të automobilave po afrohen sërish, këtë herë për planet e bashkëpunimit në zhvillimin e makinave e motorëve për tregun amerikan, raportojnë mediat.
CEO i ri i Nissan, Ivan Espinosa, me origjinë nga Meksika, theksoi se synimi nuk është një tjetër seri takimesh të shpejta që mund të çojnë në një “martesë të përhershme” korporative, por në një partneritet më fleksibël.
“Po diskutojmë mënyrat se si mund të bashkëpunojmë në SHBA”, deklaroi ai, duke nënvizuar se zhvillimi i përbashkët i produkteve dhe projekteve të motorëve është pjesë e bisedimeve.
Espinosa i përshkroi negociatat si “shumë konstruktive dhe pozitive”, duke i thënë Nikkei Asia se ekipet e të dy kompanive – deri te nivelet më të larta të menaxhimit po takohen rregullisht.
Megjithëse ai mohoi spekulimet për një rikthim të mundshëm të ideve për bashkim, ekziston motivim i fortë për të bashkëpunuar, sidomos në fushën e zhvillimit të softuerëve.
Tregu amerikan mbetet një arenë e vështirë konkurrimi, sidomos pas rritjes së tarifave të SHBA-së për importet e automjeteve japoneze.
Në këtë kontekst, bashkimi i burimeve në nivel global mund t’i ndihmojë të dyja kompanitë të ruajnë pozitat në treg. /A.Z/UBT News/
