UBT News

Honda, kompania e parë që do të shesë vetura online në Japoni

Kompania japoneze e prodhimit të makinave, Honda Motor do të jetë e para që do të fillojë me shitje online të veturave. Kjo pas kërkesave të shumta të klientëve për të shmangur kontaktin ballë për ballë, për shkak të situatës me COVID-19.

Burime të shumta thonë se prodhuesi i makinave do të krijojë një uebsajt muajin e ardhshëm për të organizuar procedurat e shitjes, kontratave e të tjera. Faqja do të shfaqë modelet më të mira me vëllim të lartë shitjesh. Zona e mbulimit të shitjeve do të zgjerohet nga qendrat e qyteteve në periferi.

Prodhuesi i automjeteve gjithashtu pret të fitojë klientë të rinj në mes të pandemisë, veçanërisht të rinjtë të cilët vitet e fundit kanë qenë më pak të interesuar për pronësinë e makinave.

Tesla, prodhuesi amerikan i makinave, dhe BMW – prodhuesi gjerman, aktualisht janë duke shitur vetura online në Japoni./UBTNews

Exit mobile version