UBT News

Homazhe në Reçak: Kosovarët kujtojnë dhe nderojnë 45 shqiptarët e paarmatosur të vrarë e masakruar nga forcat serbe

Sot, janë mbushur 26 vjet nga masakra më e tmerrshme që e përjetoi popullata civile e Reçakut, një akt barbar nga forcat serbe që i mori jetën 45 shqiptarëve të paarmatosur. Qytetarë të shumtë, që në orët e para të mëngjesit, i janë drejtuar Memorialit, ku prehen ata që u vranë dhe u masakruan më 15 janar 1999, në këtë fshat të shenjtë të Kosovës.

As acari i këtij mëngjesi të ngrirë nuk e pengoi popullin e Kosovës të mblidhet aty, me kurora lulesh në duar, për të nderuar ata që, siç shprehen qytetarët, “qëndrojnë si themelet e shtetit tonë”.

Afër varreve, mes lotëve dhe dhimbjes, ndodhën dhe familjarët e viktimave, ata që po kujtonin mëngjesin më të errët të jetës së tyre, ditën më të trishtuar dhe tragjike të historisë së Kosovës. Ky akt mizor, që tronditi botën, shkundi ndërgjegjen e diplomacisë ndërkombëtare, duke nxitur një mobilizim të fuqishëm për mbrojtjen e Kosovës.

Exit mobile version