Holanda nuk do të marrë pjesë në Eurovisionin 2027, ka konfirmuar transmetuesi publik holandez AVROTROS, duke e lidhur vendimin me pjesëmarrjen e Izraelit dhe ndikimin e konfliktit në Gaza.
AVROTROS vlerëson se, në kushtet aktuale, Eurovisioni nuk mund të konsiderohet më plotësisht neutral, ndërsa ndryshimet e fundit të paralajmëruara nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) nuk kanë qenë të mjaftueshme për të rikthyer besimin te karakteri i pavarur dhe apolitik i festivalit.
Drejtori i përgjithshëm i AVROTROS, Taco Zimmerman, tha se konfliktet ndërkombëtare po ndikojnë gjithnjë e më shumë në konkurs dhe se Eurovisioni është shndërruar në një “platformë për ndarje”.
Ky është viti i dytë radhazi që Holanda nuk merr pjesë. AVROTROS ishte tërhequr edhe nga Eurovisioni 2026 për shkak të shqetësimeve për situatën në Gaza, lirinë e shtypit dhe përfshirjen politike në konkurs.
Sipas AVROTROS, në vitin 2026 pesë vende vendosën të mos merrnin pjesë, ndërsa debati për neutralitetin e Eurovisionit dhe pjesëmarrjen e Izraelit vazhdon.
Sa i përket pjesëmarrjes holandeze në vitin 2027, AVROTROS ia ka kaluar vendimin përfundimtar NPO-së, organizatës ombrellë të transmetuesve publikë holandezë./A.K/
