UBT News

Holanda ndalon përdorimin e aplikacionit të inteligjencës artificiale ‘DeepSeek’ në pajisjet publike

Holanda ka ndaluar përdorimin e aplikacionit të inteligjencës artificiale DeepSeek në pajisjet publike për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë kibernetike dhe spiunazhin.

Sipas transmetuesit publik holandez NOS, ministri i Shtetit për Digjitalizimin dhe Marrëdhëniet e Mbretërisë, Zsolt Szabo, ka konfirmuar se qeveria ka marrë këtë vendim për pajisjet e saj, ndërsa qeveritë lokale mund të vendosin kufizime të ngjashme për punonjësit e tyre. Autoriteti Holandez për Mbrojtjen e të Dhënave Personale kishte paralajmëruar më herët për përdorimin e kujdesshëm të këtij aplikacioni.

DeepSeek, i zhvilluar nga kompania kineze High-Flyer Capital Management, u lançua më 20 janar 2025 dhe u bë shpejt një nga aplikacionet më të shkarkuara të inteligjencës artificiale, duke lënë pas edhe ChatGPT. Ai është zhvilluar me një kosto më të ulët dhe me një numër më të vogël çipash krahasuar me konkurrentët perëndimorë.

Përveç Holandës, edhe Marina Amerikane, shteti i Teksasit, Italia, Australia, Tajvani dhe Koreja e Jugut kanë ndaluar përdorimin e DeepSeek për arsye të ngjashme, duke e cilësuar atë si një kërcënim për sigurinë dhe privatësinë e të dhënave./UBTNews/

Exit mobile version