Holanda duhet të ndalojë eksportin e pjesëve të avionëve luftarakë F-35 në Izrael brenda shtatë ditëve, vendosi të hënën gjykata holandeze, për shkak të atyre që i quajti “sulmet” e Izraelit në Rripin e Gazës.
“Gjykata konstaton se ekziston një rrezik i qartë që avionët luftarakë të Izraelit F-35 mund të përdoren për kryerjen e shkeljeve serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar”, njoftoi Gjykata e Apelit të Hagës përmes një deklarate.
“Kjo do të thotë se eksporti i pjesëve të F-35 nga Holanda në Izrael duhet të ndalet”.
Tri organizata joqeveritare – Oxfam Novib, Pax for Peace dhe Forumi i të Drejtave – apeluan vendimin e mëparshëm të gjykatës holandeze që mundësonte eksportin e vazhdueshëm të pjesëve F-35 në Izrael.
Të hënën, Gjykata e Apelit të Hagës tha se sipas disa rregulloreve ndërkombëtare në të cilat Holanda është palë, vendi duhet të parandalojë eksportin e pajisjeve ushtarake nëse ekziston një “rrezik i qartë i shkeljeve serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar”./UBTNews/