Holanda e Luksemburgu kanë shprehur gatishmërinë që të ndihmojnë Kosovën në deeskalimin e situatës. Homologët e kryeministrit Albin Kurti, nuk kanë bërë fajtorë asnjërën palë për këtë situatë, veçse kanë deklaruar se duhet të zbatohet udhërrëfyesi i Bashkimit Evropian. Mark Rutte dhe Xavier Bettel thanë se duhet të ketë fokus në procesin hap pas hapi dhe se nuk do të ketë fitues në fund, në rast të konflikteve.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se është bërë gabim i madh kur nuk është nënshkruar marrëveshja bazë, për çka konsideroi se kjo ka hapur derën për shkelje dhe mosimpelementim marrëveshja e 27 shkurtit dhe aneksi i 18 marsit.
“Lajmi i mirë është se kemi një marrëveshje dhe kjo duhet të vlerësohet sepse kjo është mundësuar nga BE, nën patronatin dhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian dhe kemi arritur një marrëveshje, ishte e paimagjinueshme dy vite më parë… Çdo student që studion shkenca politike ose marrëdhënie ndërkombëtare i lexon këto 11 pika të marrëveshjes bazë do të vijnë në përfundim që kjo është një njohje de-facto. Gjithsesi, vështirësitë që kemi është mungesa e implementimit dhe besoj se mungesa e implementimit të fillojë duke lënë këtë proces të kalojë pa nënshkrim nga të dyja palët. Ky është një gabim i madh sepse mosnënshkrimi i marrëveshjes e ka hapur derën për shkeljen apo implementim. Çka duhet është implementim i shpejt i të gjitha pikave, pa parakushte apo vonesa”, deklaroi Kurti para gazetarëve.
Kryeministri holandez, Mark Rutte theksoi se nuk duhet të drejtohet gishti tek fajtori për tensionimet mes Kosovës dhe Serbisë. Ai shtoi se të dyja palët duhet t’i përmbahen udhërrëfyesit të BE-së.
“Nuk e di nëse duhet ta drejtojmë gishtin tek fajtori, Kosova apo Serbia. Sepse kjo nuk ndihmon situatën. Dëshirojmë të jemi ndihmues dhe të kthehemi tek hapat e mërzitshëm, tek qasja hap pas hapi. Në shkurt kemi pasur një marrëveshje, të ndërmjetësuar nga Gjermania dhe Franca dhe Komisioni Evropian dhe të punojmë në të gjithë ata hapa. Duhet të sigurojmë që të gjitha palët do të përmbushin propozimet e veta. Pajtohem me ju se çdo gjë nuk është implementuar”, tha kryeministri holandez.
Rutte shtoi se kanë pasur diskutime të gjata në Beograd dhe Prishtinë për deeskalimin e situatës. Po ashtu, theksoi se janë të gatshëm që të ndihmojnë në Kosovën.
“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë nëse mundemi, në të ardhmen e afërt por aspekti kryesor duhet të udhëhiqet nga Borrell. Isha shumë i lumtur në shkurt kur me pjesëmarrjen e Gjermanisë dhe Francës arritëm një marrëveshje bazë, si të lëvizim përpara dhe bazuar në të ishim në Maqedoninë Veriore kur u vendos për implementimin e saj. Por, që nga atëherë tensionet janë ngritur ende dhe duhet të fokusohemi në çështjen e deeskalimit dhe në udhërrëfyesin e BE-së dhe besoj që kjo është më e mira. Duhet të kthehemi në proces, një proces hap pas hapi dhe ndoshta duket i mërzitshëm por pjesa e mërzitshme… duhet të implementohet hap pas hapi dhe në mënyrë te përpiktë dhe të punojmë në mënyrë të drejtë. Në udhërrëfyesin evropian duhet të merren nga të dyja palët dhe deeskalimet duhet të jenë nga të dyja palët. Jam optimist se mendjet e ftohta do të mbizotërojnë”, tha ai.
Edhe kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel u shpreh se duhet të fillohet të punohet në udhërrëfyesin e BE-së.
“Stabiliteti është në interes të të gjithëve. Unë mund të përkrah kryeministrin Kurtin, presidenten Osmanin, zotëri Vuçiq dhe zonjën Bërnabiq që t’i përmbahen këtij udhërrëfyesi të BE-së. Nuk do të ketë fitues në fund nëse ka konflike”, u shpreh ai.
Kryeministri Albin Kurti do të takohet gjatë pasdites me emisarin evropian, Miroslav Lajçak.