UBT News

HMD prezanton telefonin e parë inteligjent të krijuar posaçërisht për fëmijë

Kompania HMD ka prezantuar modelin e saj më të ri, HMD Fuse, një telefon inteligjent i dizajnuar posaçërisht për fëmijë, me fokus në sigurinë dhe mbrojtjen nga përmbajtjet e dëmshme në internet.

Një nga veçoritë kryesore të këtij modeli është HarmBlock+, një teknologji e re që synon të mbrojë fëmijët duke bllokuar dërgimin, marrjen, ruajtjen apo shikimin e përmbajtjeve të papërshtatshme, përfshirë edhe përmbajtjet me natyrë seksuale. Kjo teknologji është zhvilluar në bashkëpunim me SafeToNet dhe funksionon në nivel sistemi operativ me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe kontrolleve prindërore të avancuara.

HMD Fuse vjen me ekran 6.56 inç HD+, frekuencë rifreskimi 90Hz dhe ndriçim deri në 600 nits. Pajisja fuqizohet nga procesori Snapdragon 4 Gen 2, 6GB RAM dhe 128GB memorie të brendshme.

Në aspektin e kamerës, ofron një sistem të dyfishtë në pjesën e pasme me sensor kryesor 108MP, ndërsa kamera e përparme për selfie ka 50MP me fokus automatik. Pajisja mbështet karikim të shpejtë 33W, ka një bateri prej 5,000mAh, Bluetooth 5.1, Android 15, port kufjesh 3.5 mm, skaner gjurmësh gishtash të integruar anash, si dhe vlerësim IP54 për rezistencë ndaj ujit dhe pluhurit.

Ky model vjen si pjesë e vizionit të përbashkët të HMD dhe partnerëve të saj për zhvillimin e telefonëve “pa varësi”, të përshtatshëm për moshat e reja, dhe tregon një përpjekje konkrete drejt teknologjisë së sigurt për fëmijët.

Exit mobile version