Ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, tha se kryeministri Edi Rama është në majë të një liste të vogël udhëheqësish në të gjithë botën, të cilët u shprehën të gatshëm të ndihmonin në krizën e Afganistanit.
“E admiroj, pata privilegjin ta njoh, karrierën e të cilit e pashë me interes dhe admirim të madh, lidershipi i të cilit është emblematik, një mision për të ngritur gratë dhe vajzat. Disa liderë ndërkombëtarë nuk ishin të gatshëm të bënin shumë, edhe kur iu kërkua, nëse përgjigjeshin pozitivisht, angazhimi ishte minimal. Por pati disa liderë, fatkeqësisht pak, të cilët u shprehën të gatshëm në një kohë nevoje të madhe. Në krye të kësaj liste është kryeministri Edi Rama. Kryeministri Rama hapi dyert e Shqipërisë për njerëzit nga Afganistani, kryesisht gra në nevojë, e për shkak të tij, mbi 1000 afganë janë të sigurt në Shqipëri. “Çfarë tjetër duhet të bënim”, më tha kur e telefonova për ta falënderuar”, tha Clinton.
Rama u vlerësua në Nju-Jork me çmimin “Vital Voices Global”, pikërisht për angazhimin e tij në strehimin e refugjatëve afganë, por edhe për faktin se në kabinetin e tij në mandatin e tretë mbi 70% e ministrave janë gra.
Vital Voices Global Partnership është një organizatë jofitimprurëse që punon me udhëheqëset gra të botës në fushën e fuqizimit ekonomik, pjesëmarrjen politike të grave dhe të drejtave të njeriut. Organizata ka selinë në Uashington dhe është themeluar në vitin 1997 nga Hillary Clinton, asokohe Zonja e Parë e SHBA-së, dhe Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright.