Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur mbrëmë në Pejë, ku një granatë dore është hedhur në një objekt në rrugën “Besnik Lajqi”. Sulmi ndodhi pas mesnate, rreth orës 02:05, dhe fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Policia e Kosovës, menjëherë pas njoftimit nga viktima, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, dyshohet se persona të panjohur kanë hedhur mjetin shpërthyes në objektin e viktimës, ndërsa të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur.
Rasti është cilësuar nga autoritetet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, dhe Prokurori i Shtetit është njoftuar për zhvillimet. Policia e Pejës ka nisur kërkimin për kapjen e personave të dyshuar, ndërsa po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e motivit dhe rrethanave të këtij sulmi./UBTNews/